Në 35-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se ky moment ishte historik për të gjithë kontinentin evropian.
Përmes një postimi në X (ish-Twitter), Osmani e ka cilësuar këtë ngjarje si një fitore të lirisë dhe unitetit mbi ndarjen dhe diktaturën, shkruan Gazeta Enigma.
“9 nëntori i vitit 1989 shënoi triumfin e lirisë dhe unitetit mbi ndarjen dhe autoritarizmin. Rënia e Murit të Berlinit ishte një simbol i fuqishëm i mundësisë për një Evropë të bashkuar, ku të drejtat dhe liritë janë të garantuara për çdo qytetar,” ka shkruar Osmani.
Ajo ka theksuar se ngjarja e 9 nëntorit është një kujtesë e rëndësishme për angazhimin e vazhdueshëm në forcimin e paqes dhe stabilitetit në Evropë, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe solidaritetit ndërmjet shteteve evropiane.
“35 vjet nga rënia e Murit të Berlinit—një moment historik për të gjithë Evropën! Më 9 nëntor 1989, liria dhe uniteti triumfuan mbi ndarjen. Rënia e murit ribashkoi familjet dhe një komb të ndarë, por gjithashtu frymëzoi një botë të tërë. U kujtoi të gjithëve se asnjë pengesë nuk mund ta pengojë lirinë”, shkroi tutje Osmani./GazetaEnigma/