presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë konferencës me presidentin e Letonisë, Edgars Rinkevics, ka deklaruar se Kosova dhe rajoni derisa po përballen me veprime destabilizuese të Serbisë, është e rëndësishme që Bashkimi Evropian të ketë përgjigje ndaj veprimeve të tilla, raporton Gazeta “Enigma”.
Tute ajo ka shtuar se veprimet destabilizuese të Serbisë synojnë ta kthejnë rajonin drejt së kaluarës dhe konflikteve, teksa shtoi se Kosova ka bërë çmos që t’i kontribuoj stabilitetit rajonal, përkundër sulmeve agresioni nga Serbia në veri të vendit.
“Kosova ka bërë çmos që t’i kontribuoj stabilitetit rajonal, përkundër faktit që vetëm në këto dy vitet e fundit vazhdimisht kemi pasur sulme agresioni në veri nga Serbia me synim të qartë që të aneksohet territori ynë sipas modelit rus të aneksimit”, tha Osmani.
“Ne i kemi bërë ballë me sukses këtyre synimeve të agresorit, nëpërmjet forcave tona profesionale policore dhe përkrahjen e aleatëve. Por, është me rëndësi që të ketë përgjegjësi për Serbinë, si për këto sulme agresioni në veri, ashtu edhe për sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it në maj të vitit 2023 sepse mungesa e përgjegjësisë vetëm po e inkurajon Serbinë që të vazhdojë të përdorë dhunë në rajonin tonë”, ka deklaruar Osmani. /Gazeta Enigma/