Osmani: Sot e përgjithmonë do ta mbrojmë drejtësinë e luftës sonë çlirimtare

Osmani: Sot e përgjithmonë do ta mbrojmë drejtësinë e luftës sonë çlirimtare

Ish-presidentja Vjosa Osmani, ka reaguar pas dënimeve ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Përmes një postimi, ajo thotë se UÇK-ja mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë: dje, sot e përjetësisht, transmeton Klankosova.tv.

Ndër të tjera, Osmani thekson se shteti i pavarur e sovran i Kosovës është amaneti ynë i përbashkët.

Postimi:

UÇK-ja mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë: dje, sot e përjetësisht!

Mbi 13 mijë njerëz janë vrarë nga Serbia gjenocidale gjatë luftës në Kosovë. Prej tyre, rreth 10 mijë ishin civilë të masakruar, ndërsa më shumë se 1500 ende mbesin të zhdukur me dhunë dhe në varreza masive. Dhunimet seksuale, torturat çnjerëzore, vrasjet e fëmijëve dhe krimet e tjera të llahtarshme të Serbisë ende mbesin pa përgjigje nga drejtësia ndërkombëtare; ndërkaq, Serbia vazhdon t’i mohojë krimet dhe t’i shpërblejë kriminelët.

Populli i Kosovës u ngrit pikërisht kundër këtyre krimeve dhe në mbrojtje të pragut të shtëpisë. UÇK-ja ishte ushtria e popullit të Kosovës; ishte betimi i përgjakur i njerëzve të shtypur që donin çlirimin e atdheut të tyre. Prandaj, sot e përgjithmonë, do ta mbrojmë drejtësinë e luftës sonë çlirimtare. Shteti i pavarur e sovran i Kosovës është amaneti ynë i përbashkët.

Related Articles