Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.
Osmani e ka falënderuar ambasadorin britanik për mbështetjen që Britania e Madhe i ka dhënë institucioneve të Kosovës, gjatë vitit 2021.
Siç thuhet në komunikatën nga Zyra e Presidentes, gjatë takimit është diskutuar edhe për dialogun Kosovë-Serbi.
Osmani poashtu e ka mirëpritur emërimin e të dërguarit të posaçëm të Britanisë së Madhe për rajonin si shprehje e mbështetjes për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit përballë kërcënimeve dhe rreziqeve me te cilat ballafaqohet rajoni.
“Presidentja Osmani këmbeu vështrime me ambasadorin Abbott lidhur me ecurinë e dialogut dhe rolin pozitiv që mund të luaj Britania e Madhe në këtë drejtim. Osmani ka shprehur gatishmërinë për të intensifikuar raportet e Kosovës me Britaninë e Madhe gjatë vitit vijues në fushën e shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimit në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes”.
“Ambasadori Abbott i ka prezantuar Presidentes Osmani nismën globale të Britanisë së Madhe kundër dhunës seksuale si mjet lufte. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka shprehur mbështetjen e Republikës së Kosovës për të qenë pjesë e kësaj nisme duke u bërë pjesë e Deklaratës së përbashkët kundër dhunës seksuale në konflikt dhe konferencës së shteteve mbështetëse që parashihet të mbahet gjatë vitit 2022”, thuhet tutje në komunikatë. /Gazeta Enigma/.