Osmani takohet me Erdoganin: Lider që i qëndroi Kosovës pranë gjithmonë

Osmani takohet me Erdoganin: Lider që i qëndroi Kosovës pranë gjithmonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thurur një varg lavdata për presidentin e Turqisë, Recep Tayyp Erfogan, pas takimit me të në Forumin e Diplomacisë në Antalia.

Osmani e përshkroi Erdoganin si “lider që i qëndroi Kosovës pranë gjithmonë, në çdo sfidë e në çdo sukses”.

“Një mik i dëshmuar i Kosovës, një zë i fuqishëm për të drejtën tonë, dhe një shtyllë e fortë mbështetjeje në çdo etapë të shtetndërtimit tonë”, tha ajo.

Osmani tha se Turqia është dhe do të mbetet partnere e rëndësishme e Kosovës për paqen, sigurinë dhe zhvillimin rajonal.

“Marrëdhëniet tona janë më shumë se miqësi, janë një partneritet i ndërtuar mbi besim, respekt dhe vizion të përbashkët për të ardhmen”, tha ajo.

Të premten në Antalia nisi edicioni i katërt i Forumit dyditor të Diplomacisë, i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë, nën patronazhin e Erdoganit.

Forumi këtë vit trajton temën “Rikthimi i Diplomacisë në një Botë të Fragmentuar”, e cila pasqyron nevojën urgjente që diplomacia të vihet në pah si forcë stabilizuese, mes rritjes së tensioneve globale.

Turqia është një ndër shtetet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës në shkurt të vitit 2008.

Dhjetorin e kaluar, Qeveria e Kosovës e nënshkroi një marrëveshje me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes, Makine ve Kimya Endüstrisi, për themelimin e një fabrike të municioneve në Kosovë.

Ndërsa, në vitin 2023 Kosova bleu dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia.

Related Articles