Nga zyra e presidentes njoftojnë se në raport me zhvillimet e fundit në Kosovë, Osmani ka theksuar se më 24 shtator, në Banjskë, Serbia ka kryer sulm terrorist dhe akt agresioni ndaj Kosovës me qëllim të aneksimit të veriut të Kosovës dhe destabilizimit të tërë rajonit. Prandaj, në këtë kontekst, ajo ka potencuar rëndësinë e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse për aktin e saj të agresionit kundër Republikës së Kosovës.
Tutje bëhet e ditur se ajo ka theksuar se në mënyrë që paqja të jetë e mundur në rajon, Serbia duhet t’i tërheqë trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën, ngase përbëjnë rrezik për paqen dhe stabilitetin.
Për më tepër, ka diskutuar me kryeministrin kroat edhe për provat e mbledhura nga policia e Kosovës që e lidhin drejtpërdrejt Serbinë me këtë sulm si dhe për bashkëpunimin e institucioneve të sigurisë me aleatët tanë në mënyrë që të parandalohet agjenda destabilizuese e Serbisë.
Në këtë takim, ndër të tjera, Presidentja Osmani ka falënderuar kryeministrin Plenkoviq për kontributin e ushtarëve kroatë në misionin e KFOR-it në Kosovë dhe bashkëpunimin bilateral në fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe Kroacisë, teksa kanë diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në këtë fushë.
E para e shtetit ka theksuar se Kosova ka prioritet shtetëror anëtarësimin në NATO edhe për shkak të sfidave të sigurisë me të cilat ballafaqohet rajoni ynë, ndërkaq potencoi edhe rëndësinë e avancimit me anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës e në Bashkimin Evropian si dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë.