Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në një takim zyrtar Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili po zhvillon vizitën e tij të parë në Kosovë që kur u emërua në këtë funksion të lartë.
Takimi mes Osmanit dhe Costës po zhvillohet në ambientet e Presidencës së Kosovës, ku palët do të diskutojnë mbi zhvillimet rajonale, integrimin evropian të Kosovës dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.
Pas takimit, është paralajmëruar një konferencë e përbashkët për media ndërmjet Presidentes Osmani dhe Presidentit të Këshillit Evropian.
Më vonë gjatë ditës, në orën 18:40, Antonio Costa pritet të takohet edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, sipas njoftimit zyrtar të Këshillit Evropian.
Vizita e sotme shënon herën e parë që Costa viziton Kosovën në cilësinë e tij si President i Këshillit Evropian – një detyrë të cilën ai e mori zyrtarisht më 1 dhjetor 2024, pasi u zgjodh nga liderët e BE-së më 27 qershor 2024.