Presidentja Vjosa Osmani të martën është takuar me Ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës, njëkohësisht Kryesuese të OSBE-së, Elina Valtonen.
Sipas presidentes gjatë takimit, e para e shtetit të Kosovës e falënderoi Finlandën për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, veçanërisht në proceset e shtetndërtimit, demokratizimit dhe forcimit të institucioneve.
Në cilësinë e Kryesueses së OSBE-së,Valtonen u informua nga presidentja Osmani mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, përkushtimin e institucioneve ndaj paqes dhe stabilitetit si dhe zbatimin e rendit dhe ligjit.
Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me OSBE-në në procesin e reformave, transparencës institucionale dhe të drejtave të njeriut.
“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani theksoi se pret që OSBE-ja do të vazhdojë t`i mbështesë prioritetet kyçe të Kosovës, përfshirë barazinë gjinore dhe fuqizimin e të drejtave të njeriut”, thuhet mes tjerash në noftim.