Në përkujtim të 25-vjetorit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi nevojën për të luftuar për drejtësi dhe për të siguruar që historia e vendit të mos përsëritet.
Ajo nënvizoi se padrejtësitë që janë përjetuar nga viktimat nuk duhet të kalojnë në heshtje.
Osmani nderoi veprën e Vasfije Krasniqit dhe të tjera gra kosovare, duke i quajtur ato heroina që kanë treguar guxim të jashtëzakonshëm në përballjen me traumat e kaluar, shkruan Gazeta Enigma.
“Ju keni shndërruar dhimbjen e Kosovës në një thirrje për drejtësi. Ata që menduan se mund ta çnderojnë Kosovën asnjëherë nuk do ta arrijnë këtë, sepse ju jeni krenaria e këtij vendi,” deklaroi presidentja.
Ajo theksoi se dhuna seksuale është përdorur si armë e tmerrshme gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke shkaktuar dhimbje të thella që do të prekin brezat e ardhshëm.
“Historia dëshmoi se pavarësisht të gjitha vuajtjeve, populli ynë tregoi një qëndresë të jashtëzakonshme. Ne duhet të luftojmë që këto ngjarje të mos përsëriten, dhe të sigurojmë që padrejtësitë e kaluara të mos kalojnë pa u adresuar”, tha e para e shtetit.
Në fund, presidentja shprehu angazhimin e saj për të krijuar mekanizma më efektivë për mbështetje ndaj të mbijetuarave të dhunës seksuale, duke theksuar se lufta për drejtësi është një angazhim që kërkon përkushtim të vazhdueshëm./GazetaEnigma/