Osmani thotë se me kërkesat drejtuar Kushtetueses synon qartësimin e temave për vitet e ardhshme

Osmani thotë se me kërkesat drejtuar Kushtetueses synon qartësimin e temave për vitet e ardhshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi sot në një konferencë për media se kërkesat e dorëzuara në Gjykatën Kushtetuese kanë për qëllim qartësimin e një sërë çështjesh kushtetuese, me të cilat institucionet e vendit do të përballen edhe në vitet e ardhshme.

Ajo theksoi rëndësinë e një baze të qartë ligjore për situata të mundshme të ngjashme në të ardhmen, në mënyrë që të mos jetë e nevojshme t’i drejtohen sërish gjykatës me të njëjtat pyetje.

“Kërkesa që ne e kemi paraqitur sot para gjykatës sqaron tema edhe për legjislaturat e ardhshme. Llogariteni, ta zëmë, në qoftë se kemi zgjedhje pas katër vitesh dhe prapë kemi një situatë të njëjtë, prapë duhet t’i drejtohemi Gjykatës me pyetjet e njëjta. Mendoj që kjo i sqaron një sërë çështjesh kushtetuese me të cilat ne si Kosovë dhe institucionet tona do të merren edhe në vitet në vijim. Nuk është që përfundon me kaq. Rrjedhimisht, qartësimi i temave që ne i kemi ngritur është i domosdoshëm për funksionimin demokratik dhe kushtetues të institucioneve,” tha Osmani.

Presidentja potencoi se iniciativa e saj synon parandalimin e paqartësive ligjore dhe përforcimin e rendit kushtetues në funksion të një demokracie të qëndrueshme.

Related Articles