Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar xhudisten Distria Krasniqi për suksesin e saj të madh në Kampionatin Botëror të Xhudos që po mbahet në Budapest të Hungarisë, ku ajo fitoi medaljen e argjendtë.
Në një postim në Facebook, Osmani ka vlerësuar lart arritjen e Krasniqit, duke e cilësuar si një shembull frymëzimi dhe krenari të vendit.
“Me forcë, pasion dhe zemër të pathyeshme, Distria Krasniqi ngriti flamurin e Republikës së Kosovës në piedestalin botëror! Nënkampione bote me talent, përkushtim dhe luftëtare e paepur! Urime për këtë triumf historik, je shembull frymëzimi për të gjithë!”, ka shkruar ajo.
Distria Krasniqi siguroi medaljen e saj të parë të argjendtë në një kampionat botëror, pas dy medaljeve të bronzta në të kaluarën.