OVL e UÇK-së reagon ndaj nderimit të njësive serbe: Po institucionalizohet mohimi i krimeve të luftës

OVL e UÇK-së reagon ndaj nderimit të njësive serbe: Po institucionalizohet mohimi i krimeve të luftës

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj nderimit të njësive ushtarake serbe, duke e cilësuar këtë veprim si një përpjekje për të institucionalizuar mohimin e krimeve të luftës dhe për të mbrojtur pandëshkueshmërinë.

Në reagimin e saj, OVL e UÇK-së thekson se, përderisa Serbia vazhdon të mbajë të mbyllura arkivat shtetërore, ushtarake dhe policore dhe nuk zbardhet fati i personave të zhdukur gjatë luftës, nderimet për njësitë serbe nuk mund të konsiderohen përkujtim.

“Nderimi i njësive ushtarake serbe, ndërsa vazhdohet të mbahen të mbyllura arkivat shtetërore të Serbisë dhe të fshihen provat për krimet e luftës, nuk është përkujtim. Është institucionalizim i mohimit dhe mbrojtje e pandëshkueshmërisë”, thuhet në reagimin e organizatës.

OVL thekson se e vërteta nuk mund të fshihet “as me medalje, as me nderime shtetërore dhe as me rrëfime të rishkruara”, duke kërkuar hapjen e arkivave ushtarake dhe policore të Beogradit, si dhe zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Në fund, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së rithekson se Kosova do të vazhdojë të kërkojë të vërtetën dhe drejtësi për krimet e luftës, duke kundërshtuar çdo përpjekje për glorifikimin e njësive serbe.

Related Articles