Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka dënuar aktin vandal ndaj figurës së komandant Lleshit në Bujanoc, duke thënë se ky veprim tregon qartë se ka ende struktura që ndihen të shqetësuara nga lufta e lavdishme e shqiptarëve për liri.
Një person ende i paidentifikuar ka thyer gjatë natës një poster të vendosur të Ridvan Qazimit – komandant Lleshit në qytetin e Bujanocit.
Duke e quajtur akt të papranueshëm, skandal të rëndë dhe sulm të qëllimshëm ndaj kujtesës kombëtare dhe sakrificës për liri të shqiptarëve, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thotë se kjo nuk mund të zbehë respektin dhe nderimin ndaj atyre që ranë për liri.
“Gjaku i tyre është i shenjtë dhe do të përkujtohet përjetësisht. Në këtë drejtim, kërkojmë nga institucionet ndërkombëtare të ushtrojnë presion mbi Serbinë që të zbulojë autorët e këtij akti të ulët dhe t’i vërë përpara drejtësisë. Heshtja në këso raste nxit përsëritjen e veprimeve të tilla dhe dëmton përpjekjet për paqe dhe bashkëjetesë në rajon”, thuhet në reagim.