Ish – presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar ashpër për videon e Lëvizjes Vetëvendosje, ku godet të gjitha partitë që kanë qeverisur me vendin.
Pacolli i është kundërpërgjigjur kësaj video, ku vet ai është përfshirë, me gjërat që sipas tij, ai ka bërë për Kosovën.
Ai thotë se e ka nënshkruar pavarësinë e Kosovës, i ka sjell mbi 40 njohje, e shumë gjëra të tjera.
Postimi:
E shoh veten në një video skandaloze të publikuar nga partia më e madhe e Kosovës, partia që sot qeverisë Kosovën tonë. Në atë video jam quajtur shkatërruesi. Jo, zotërinj, shkatërruesit jeni ju që vetëm konsumoni paranë e taksapaguesve e në këtë rast edhe paratë e mia. Më tregoni çka keni bërë Ju për Kosovën?
– Unë kam nënshkruar pavarësinë e Kosovës, ju jo.
– Unë kam promovuar vendin në tërë botën, i kam sjellur mbi 40 njohje, e ju, asnjë …
– Unë kam krijuar ekzistencë financiare për mbi 60.000 qytetarë të Kosovës që nga koha nga kur ju ende nuk keni ekzistuar.
– Unë kam ndihmuar e ndihmoj njerëzit në nevojë të Kosovës me dhjetra miliona euro e ju vetëm i shfrytëzoni ata njerëz.
– Unë kam ndërtuar dhe dhuruar universitete, shkolla, ndërtesa e shumëçka, e ju asgjë.