Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se do ta mbështesë mocionin e mosbesimit të iniciuar nga AAK-ja.
Pacolli tha se edhe dy partitë e tjera opozitare përkatësisht, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) duhet ta mbështesin një mocion të tillë.
Ai tutje shtoi se edhe pse opozita po bën thirrje për rrëzimin e Qeverisë, të njëjtën gjë nuk po e bëjnë me vepra.
“E gjithë opozita kritikon dhe bën thirrje për rrëzimin e Qeverisë, por nuk po e bëjnë këtë me vepra. Prandaj, partitë LDK dhe PDK duhet ta mbeshtesin mocionin, çfarë presin. Edhe unë, në ketë rast do ta mbështes”, tha Pacolli për “Gazeta Blic”.
Pas tensioneve që shpërthyen në fund të muajit maj në veri të vendit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, inicioi mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti.
Megjithëse ky mocion nuk gjeti mbështetje në momentin që u iniciua, kryetari i AAK-së po bën thirrje sërish që të përkrahet.
Në seancën e parë plenare të sesionit vjeshtor, Haradinaj, iu bëri thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të japin votën e tyre për shkarkimin e Qeverisë Kurti pasi e njëjta është në rrugë të gabuar.
“Dialogu edhe qeverisja në Kosovë ajnë në rrugë të gabuar, rrugë e cila po i shkakton humbje dhe goditje Kosovës. Janë humbjet e shumta, i thojnë mediat dhe aleatët. Nëse në parlament e shohim që Qeveria po udhëheq në drejtim të gabuar, si të veprojmë. Nëse dikush shpresoj se Kurti do ta nxjerrë kosovën nga drejtimi humbës, besoj del gabim. Nuk duhet të presim nga ai që e ka sjellë Kosovën ketu me nxjerr nga kjo situatë”, ka thënë Haradinaj.