Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka reaguar ndaj një raportimi nga gazetari Lirim Mehmetaj, lidhur me kontratën për ndëertimin e disa objekteve në Istog.
Lidhur me këtë, Pacolli tha se kontrata është lidhur në një kohë kur nuk ka qenë fare ministre.
“Lirim Mehmetaj po vazhdon ta ushtroj zanatin e tij të vjetër. Për hir të të vërtetës dhe kundër mjegullës që ai tenton të krijojë, duhet ta sqarojmë këtë “zbulim” të tij të radhës. Kontrata për ndërtimin e objekteve në Istog është lidhur në një kohë kur unë nuk kam qenë fare ministre. Lirimi e di këtë shumë mirë, por faktet nuk i hyjnë në punë kur qëllimi i vetëm është shpifja dhe propaganda e ligë”, shkroi Pacolli në një postim.
“Metoda e tij është tashmë e lexueshme: kur s’ka fakte, shpik; kur s’ka argumente, sulmon. Kjo është mënyra se si jetojnë njerëzit që profesion të vetëm kanë njëllosjen e tjetrit”, tha tutje ministrja për gazetarin Mehmetaj.
“Të nderuar qytetarë, mos bini pre e dikujt që ushqehet nga mashtrimi. Rrena mund të bëjë zhurmë për një moment, por e vërteta e nxjerr gjithmonë zbuluar. Lirimi sot thjesht konfirmoi edhe një herë se ku përfundon një “gazetar” kur kthehet në mjet propagande: i pabesueshëm dhe i dëshpëruar”, u shpreh në fund Pacolli.
