Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka akuzuar shtetin e Ukrainës se ka kthyer shtetasit e Kosovës në pikën kufitare me Moldavinë, madje sipas tij, duke i ofenduar dhe maltretuar të njëjtit dhe duke i quajtur “terroristë”.
“Ka dhjetëra shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën, por pothuajse të gjitha u lejojnë qytetarëve tanë hyrjen me pasaportë kosovare. Sot, Ukraina ka kthyer shtetasit e Kosovës në pikën kufitare me Moldavinë – jo vetëm që i ka refuzuar, por i ka ofenduar dhe maltretuar, madje duke i quajtur “terroristë”. Ky nuk është rasti i parë: para disa vitesh, e njëjta Ukrainë veproi në mënyrë skandaloze me ekipin tonë kombëtar të futbollit, të cilët u detyruan të udhëtonin në Gjeorgji për të zhvilluar ndeshjen”, shkroi Pacolli në një postim në Facebook.
“Ne këtu në Kosovë vazhdojmë të tregojmë solidaritet dhe dhimbje për ta – ndërkohë që ata na poshtërojnë. A nuk është koha të rishqyrtojmë qëndrimet tona ndaj atyre që nuk na respektojnë as dinjitetin më minimal?”, pyeti Pacolli më tej.