Ish-Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, aktualisht kryetar i Aleancës Kosova e Re, ka dhënë detaje të reja lidhur me një bisedë të tij me Milan Radojiçiç, një figurë e dyshimtë.
Sipas Pacollit, në këtë bisedë kanë qenë të pranishëm edhe Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani.
Në një intervistë për emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Pacolli tha se biseda ka ndodhur pas mesnate, kur ai është thirrur për të shkuar në Kuvend.
“Kam hyrë në zyrën e kryetares së Kuvendit dhe aty ishim disa persona. Kryeministri Kurti ishte ulur përballë meje dhe presidentja ishte në anën tjetër,” theksoi ai.
Pacolli tregoi se Radojiçiç i kishte garantuar se deputeti Adem Hoxha, nga komuniteti goran, do të merrte pjesë në seancën për votimin e Osmanit. “Pas bisedës, Hoxha erdhi në Kuvend, siç kishte thënë Radojiçiçi,” shtoi ai.
Megjithatë, këto deklarata janë mohuar nga Qeveria e Kosovës. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, e cilësoi këtë informacion si “absolutisht të pavërtetë” dhe theksoi se nuk ka pasur asnjë komunikim të tillë mes Pacollit dhe Radojiçiçit në prani të Kurtit.
Vjosa Osmani u zgjodh Presidente e Kosovës më 4 prill, me 71 vota për nga 82 deputetë. Një vëmendje e veçantë iu kushtua prezencës së Adem Hoxhës, që vjen nga radhët e Listës Serbe, por vepron në koordinim me ta.
Kjo situatë ndodh në një moment kur janë duke u publikuar incizime dhe mesazhe mes Mimoza Kusari-Lilës, kryeshefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Radojiçiçit, duke nxjerrë në pah koordinimet në emër të Qeverisë me përfaqësues të Listës Serbe për agjendën legjislative.
Tensionet politike në Kosovë vazhdojnë të rriten, duke sfiduar stabilitetin e vendit.