“Padia në Gjykatën e Strasburgut do të konstatojë diskriminimin në pasivizimin e adresave në Luginën e Preshevës”, shkruan Refik Hasani

“Padia në Gjykatën e Strasburgut do të konstatojë diskriminimin në pasivizimin e adresave në Luginën e Preshevës”, shkruan Refik Hasani

Shkruan: Mr. Sc. Refik Hasani

Pasivizimi i adresave për shqiptarët e Krahinës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit duhet kuptuar si një proces që prodhon efekte përtej atyre administrative. Nëse nuk posedoj dokumente identiteti, atëherë konsiderohem si një shtetas i huaj, por jo i Republikës së Serbisë.

Në këtë mënyrë nuk mund të kryej asnjë veprim ligjor dhe nuk kam të drejtë të filloj, të kryej apo të vazhdoj procedura ligjore, në përputhje me standardet dhe konventat e Bashkimit Evropian dhe aktet e tjera ndërkombëtare që janë të garantuara edhe me Kartën e OKB-së.

Nuk mund të votoj dhe as të jem i votuar; humbas të drejtën e qasjes në kujdesin shëndetësor dhe në shërbimet sociale; humbas të drejtat civile; humbas të drejtën për të blerë apo shitur, si dhe të drejtën për të regjistruar apo trashëguar pronën e luajtshme dhe të paluajtshme.

Po ashtu humbas përdorimin e llogarive bankare dhe të sigurimeve shëndetësore e shoqërore që kemi paguar deri më tani.

Serbia, përmes pasivizimit të adresave, po zbaton pa zhurmë dhe në heshtje një strategji të qartë, duke arritur kështu të shpopullojë zyrtarisht Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin.

Serbia vazhdon t’i shkelë, cenojë, mohojë dhe diskriminojë të drejtat themelore individuale dhe kolektive. Për këtë arsye është miratuar një Rezolutë më 8 korrik 2022 nga Parlamenti Evropian, në të cilën kërkohet hetim për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si një formë e spastrimit etnik dhe diskriminimit sistematik.

Ky raport është përfshirë në Raportin e Progresit për Serbinë për vitin 2021, në tekstin e amendamentit 79, i cili u propozua dhe më pas u miratua në tërësi nga eurodeputetët.

Parlamenti Evropian, për më shumë se një dekadë, ka ngritur vazhdimisht diskutime të mbështetura me fakte dhe prova për pasivizimin e adresave dhe diskriminimin ndaj shqiptarëve, ndërsa së fundmi e ka bërë këtë edhe në mënyrë më të drejtpërdrejtë.

Edhe në raportin e 2 majit 2025 theksohet qartë se dënohet spastrimi etnik dhe diskriminimi sistemik ndaj shqiptarëve në jug të Serbisë. Raporti thekson se anulimi i adresave të banimit i privon ata nga e drejta e votës, nga qasja në kujdesin shëndetësor dhe nga dokumentet personale.

Një zhvillim tjetër me ndikim dhe relevancë ndërkombëtare është edhe projektligji–rezolutë i iniciuar nga Kongresmeni amerikan Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropë, i prezantuar më 21 janar 2026.

Prezantimi u realizua në mbledhjen e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit të SHBA-së, duke propozuar Rezolutën me numër H.R. 6411, të arsyetuar me argumente të bazuara.

Padia e ushtruar më 2 mars 2026 në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, edhe pse është depozituar dhe regjistruar në emër të një individi, lidhet me raste të shkeljeve të të drejtave themelore të njeriut.

Këto përbëjnë shkelje të akteve dhe konventave të Bashkimit Evropian dhe të instrumenteve të tjera ndërkombëtare, duke shkaktuar cenim dhe mohim të realizimit të të drejtave elementare të njeriut në shumë fusha, në mënyrë sistematike.

Gjykata Evropiane në Strasburg, pas shqyrtimit të provave të shumta dhe të mjaftueshme, do të ndihmohet edhe nga raportimet e mediave kredibile ndërkombëtare, të cilat kanë realizuar dhjetëra hulumtime investigative.

Ndihmesë përbëjnë edhe raportet e organizatave për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në Serbi dhe në Evropë.

Kjo gjykatë i posedon faktet dhe do të vendosë që të gjithë të prekurit dhe palët e dëmtuara të kompensohen lidhur me këtë çështje, si dhe të ndalohet veprimi apo mekanizmi administrativ diskriminues i pasivizimit të adresave nga Serbia, si një formë e spastrimit etnik dhe diskriminimit ndaj shqiptarëve.

Gjykata Evropiane në Strasburg do të marrë në konsideratë edhe raportimet e vazhdueshme të OSBE-së, si dhe studime dhe trajtesa shkencore e akademike që argumentojnë me fakte dhe referenca se pasivizimi i adresave nuk është një veprim individual apo i izoluar.

Përkundrazi, ai përbën një mekanizëm administrativ të ndërtuar nga aparati shtetëror i Serbisë, me një qëllim të qartë: arritjen e një objektivi përmes spastrimit të heshtur etnik dhe diskriminimit shtetëror.

Sipas të dhënave të disponueshme, ky proces po zhvillohet në mënyrë alarmante, duke bllokuar plotësisht jetën juridike dhe administrative të qytetarëve të prekur.

Vlen të kujtohet se edhe në Republikën e Sllovenisë është trajtuar një rast pothuajse identik në Gjykatën e Strasburgut, lidhur me pasivizimin e adresave.

Në atë rast, Gjykata e Strasburgut nxori një vendim të formës së prerë dhe Sllovenia u dënua me një penalizim financiar prej 3% të buxhetit të saj për shkak të mekanizmit të pasivizimit të aplikuar ndaj minoriteteve.

Pasivizimi selektiv i adresave në Serbi, që prek kryesisht shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, përbën një formë të qartë të spastrimit etnik dhe diskriminimit.

Kjo dukuri prek rreth 25 mijë qytetarë shqiptarë, jo vetëm në këtë rajon, por edhe në pjesë të tjera të Serbisë, ku kjo praktikë është zbatuar pothuajse ekskluzivisht ndaj shqiptarëve.

Vendimi final i Gjykatës Evropiane të Strasburgut, pas shqyrtimit të argumenteve dhe procedurave, pritet të jetë një hap vendimtar për t’i dhënë fund kësaj praktike të spastrimit etnik dhe diskriminimit.

Ky vendim do të ketë rëndësi jo vetëm për shqiptarët e dëmtuar në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, por për të gjithë shqiptarët në Serbi që janë përballur me pasivizimin e adresave.

Rezoluta e miratuar më 8 korrik 2022 nga Parlamenti Evropian dhe projektligji–rezolutë me numër H.R. 6411, i paraqitur më 21 janar 2026 në SHBA, së bashku me padinë e regjistruar më 2 mars 2026 në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, paraqesin dëshmi të fuqishme për shkeljet sistematike që u janë bërë qytetarëve të Serbisë me përkatësi etnike shqiptare.

Një rast konkret është ai i znj. Teuta Fazliu nga Bujanoci, e cila nuk është ndalur përballë betejave burokratike dhe ka vazhduar me ankimime dhe procedura ligjore kundër pasivizimit të adresës së saj.

Të gjithë këta faktorë tregojnë se padia e ushtruar më 2 mars 2026 në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka gjasa reale të çojë drejt një konstatimi të diskriminimit në pasivizimin e adresave si një formë e spastrimit etnik.

Artikulli, i hartuar me një qasje studimore dhe i mbështetur në burime dhe referenca kredibile, është një hulumtim që shqyrton pasivizimin e adresave për shqiptarët e Krahinës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Artikulli nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Gazetës Enigma.

Related Articles