Operatori ekonomik “Aroma Plus”, ka paditur zyrtarin e Prokurimit në Spitalin e Gjilanit, Gzim Shalën pasi i ndërpreu kontratën për shërbimet e pastrimit të brendshëm dhe sanitarisë, pa paralajmërim. Ndërkaq, dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme ka lidhur kontratë me operatorin ekonomik nga Prizreni “MUROYA”. Ndërkaq, Komisioni Rregullativ i prokurimit publik ka dalë me një rekomandim.
Operatori ekonomik “Aroma Plus” kujdesej për pastërtinë e Spitalit në Gjilan qysh nga viti 2019. Dhe deri tani sipas përfaqësueseve të kësaj kompanie nuk kanë pasur asnjë ankesë.
Pas skadimit të kontratës, “Aroma” kishte aplikuar sërish duke nënshkruar një kontratë tre mujore prej 01.12.2022 deri me 01.03.2023.
Ndërkohë me datë 10.03.2023 kanë nënshkruar një kontratë tjetër, kësaj radhe pa afat të caktuar.
Kontrata mes “Aroma Plus” dhe Spitalit Regjional të Gjilanit kapte vlerën e 21 mijë e 950 eurove.
Ndërkohë, me 2 nëntor të këtij viti, Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit përkatësisht zyrtari, Gzim Shala dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme ka lidhur kontratë me operatorin ekonomik “MBUROYA” Sh.P.K me lokacion në Prizren me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit.
Kontrata me këtë operator ekonomik kap vlerën e 29 mijë e 638 eurove apo më saktë 29,638.85.
Për të njëjtin shërbim, pra, pastrimin e brendshëm dhe të sanitarisë në Spital, pagesa është e ndryshme. Dallimi në euro është për 7 mijë e 688 euro.
Ankesa nga “Aroma Plus” tashmë është dorëzuar në Organin Shqyrtues të Prokurorimit ndërsa denoncimi është bërë edhe në Policinë e Kosovës, kanë konfirmuar përfaqësuesit e kësaj kompanie për Insajderin.
Çka rekomandoi KRPP?
Komisioni Rregullativ i prokurimit publik (KRPP) ka konstatuar se nuk mund të shkëputet marrëveshja dhe të lidhet me një tjetër.
Si rrjedhojë, KRPP ka rekomanduar Autoritetin Kontraktues të Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, se me rastin e publikimit të procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, me arsyetim si rrjedhojë e ankesës në OSHP, janë të obliguar të zhvillojnë procedurë të negociuar për shërbime.
“KRPP – Departamenti i Monitorimit gjatë monitorimit ka vërejtur se me datën 10.03.2023 keni nënshkruar kontratën me procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, për aktivitetin e prokurimit “Shërbimet e pastrimit të brendshëm në Spitalin e Përgjithshëm Gjilan: Kontrata lidhet me datën 10.03.2023 dhe vlen deri në lidhjen e kontratës së re, në momentin e lidhjes së kontratës së re kjo kontratë automatikisht të ndërpritet si dhe menaxheri i kontratës do të bën mbylljen edhe në E-prokurim”, thuhet në rekomandimin e KRPP-së.
Rekomandimi i KRPP është bazuar në të dhënat e lartcekur, AK në këtë rast Spitali i Gjilanit nuk ka pasur të drejtë të zhvillojë procedurë të negociuar pasi që AK më të njëjtat procedura (procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë), ka në fuqi kontratën e lidhur me datën 10.03.2023 deri ne lidhjen e kontratës së re me Operatorin Ekonomik “Aroma Plus” .
Gazeta Insajderi ka provuar ta kontaktojë edhe zyrtarin Gzim Shala për të kuptuar më saktë se përse ka vepruar në këtë mënyrë, por i njëjti nuk ia ka hapur telefonin gazetës.
Ndaj, po këtij zyrtari Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë. Ai dyshohet për keqpërdorim të informatës zyrtare në një tender me vlerë prej 750 mijë euro.