Xhekson Martinez, deri një vit më parë ishte një emër shumë i njohur në futbollin botëror. Sulmuesi kolumbian kishte shkëlqyer me Porton për disa vite edhe në Ligën e Kampioneve e ndonëse kishte një etapë të pafat te Atletiko Madrid, siguroi një kontratë shumë fitimprurëse në Kinë.
Por një vit më parë, ai vendosi t’i jepte lamtumirën futbollit të luajtur, si pasojë e dëmtimeve të njëpasnjëshme. Kush mendonte se do të mbetej pjesë e futbollit u gabua, pasi Martinez është kthyer në një këngëtar dhe i këndon sidomos Zotit.
“Kisha një jetë luksi dhe gëzimi mes mëkateve. Nuk më shqetësonte pasi nuk e shihja si sot, por si diçka normale. Nuk e sheh asnjëherë Zotin deri në momentin kur ai është i vetmi që të mbetet, ndaj mora vendimin të përqendrohem te ai”, tregoi Xhekson Martinez në një intervistë në Kolumbi.
“Në rastin tim fillova të kuptoj që disa miqësi që kisha, më dërgonin në festa, pije… Isha i rrethuar nga alkooli, purot dhe shumë gjëra të tjera. Në një moment kritik të karrierës, kur kisha dy operacione që më mbajtën dy vite jashtë, iu përkushtova më shumë shkrimit të këngëve e më pas erdhi vendimi për këtë album. Muzikën time do ta përshkruaja si një muzikë që është përqendruar për të përhapur fjalën e Zotit”, ishte shpejgimi i Martinez për ndryshimin drastik në jetën e tij.
/Gazeta Enigma/