Pakistani rrëzon 25 dronë të përdorur nga India, vritet një civil

Pakistani rrëzon 25 dronë të përdorur nga India, vritet një civil

Pakistani ka njoftuar se ka rrëzuar 25 dronë sulmues të tipit “loitering munition” të prodhimit izraelit, të përdorur nga India, pas asaj që e ka cilësuar si një “provokim serioz” nga New Delhi, që ka rezultuar me plagosjen e katër ushtarëve dhe vrasjen e një civili.

“Pjesë të dronëve Harop, të prodhuar nga kompania izraelite Israel Aerospace Industries, janë duke u mbledhur në disa zona të Pakistanit”, thuhet në një deklaratë të ushtrisë pakistaneze, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

Dronët Harop funksionojnë si bomba fluturuese me rreze të gjatë veprimi dhe kontrollohen nga operatorë në distancë. Zëdhënësi i ushtrisë së Pakistanit, Gjenerallejtënant Ahmed Sharif Chaudhry, tha se vetëm gjatë natës mes të mërkurës dhe të enjtes, janë rrëzuar 12 të tillë.

“Kjo është një provokim serioz që rrezikon sigurinë e rajonit dhe përtej”, tha Chaudhry.

Ai shtoi se dronët janë rrëzuar në të gjithë territorin e Pakistanit, nga Rawalpindi në veri, ku ndodhet selia kryesore ushtarake, deri pranë qytetit port jugor Karachi.

Një nga dronët arriti “pjesërisht” të godasë objektivin e tij pranë qytetit Lahore, duke lënë të plagosur katër ushtarë. Ndërkaq, në provincën juglindore Sindh, një civil u vra dhe një tjetër u plagos si pasojë e sulmeve të dronëve.

Sipas Chaudhry, forcat ajrore të Pakistanit janë vendosur në “gjendje të lartë gatishmërie dhe vigjilence”.

Related Articles