Pamje dramatike nga Parisi – tornado e fuqishme merr një jetë dhe plagos katër persona

Pamje dramatike nga Parisi – tornado e fuqishme merr një jetë dhe plagos katër persona

Një tornado e fuqishme përfshiu lagjet në veri të Parisit të hënën, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe viktima. Stuhia rrëzoi tre vinça ndërtimi, duke lënë pas një person të vdekur dhe katër të tjerë me lëndime kritike.

Qyteti i Ermont, rreth 20 kilometra në verilindje të Parisit, ishte zona më e prekur nga “vorbulla” e papritur, e cila shkaktoi dëme në rreth 10 lagje.

Prokurori rajonal Guirec Le Bras konfirmoi se viktima ishte një punëtor ndërtimi 23-vjeçar që humbi jetën në një kantier ndërtimi, ndërsa dhjetë persona të tjerë u lënduan – katër prej tyre në gjendje kritike.

Sipas autoriteteve, tornado rrëzoi vinça dhe shkuli çati ndërtesash, duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme.

Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, reagoi në platformën X, duke e përshkruar stuhinë si një fenomen me “intensitet të papritur dhe të rrallë”.

Ai shtoi: “Po e ndjek situatën nga afër dhe shpreh mbështetjen time për zyrtarët, ekipet e shpëtimit në vendngjarje dhe banorët e prekur. I shpreh ngushëllimet e mia familjes dhe të dashurve të viktimës së ndjerë.”

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale treguan momentet dramatike kur tre vinça ndërtimi binin brenda pak sekondash nga njëri-tjetri.

Njëri prej vinçave ra mbi një klinikë, pa shkaktuar lëndime, ndërsa një tjetër u shemb mbi një ndërtesë banimi. Autoritetet franceze thanë se në vendngjarje kanë dalë dhjetëra zjarrfikës, policë dhe personel mjekësor për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit dhe për të vlerësuar dëmet.

Related Articles