Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në një kafene në fshatin Runik të Skenderajt, ku si pasojë e të shtënave ka humbur jetën 39-vjeçari, Nexhmedin Loshi dhe kanë mbetur të plagosur Qendrim Januzi [i lindur 1991], Fidan Januzi [i lindur 1982] dhe Muhamet Ramadani [i lindur 1988], raporton Gazet “Enigma”.
Rastin për Gazetën “Enigma” e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili ka bërë me dije se dy persona të maskuar kanë hyrë brenda kafenesë dhe kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimave.
Të njëjtit më pas janë larguar në drejtim të panjohur dhe ende nuk janë identifikuar.
“Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja”, tha Zahiti.
Tutje ai ka shtuar se “të gjitha veprimet e ndërmarra policore, janë udhëhequr nga prokurori i rastit i cili ka dalë në vend të ngjarjes ndërsa i njëjti ka autorizuar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore . Hetuesit e Sektorit Rajonal , janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e kryesit/ve të veprës si dhe zbardhjen e kësaj vepre penale”.
Sipas Zahitit, viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa tre të plagosurit janë dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.