Ish-nënkryetarja e komunës së Zveçanit, Sllaxhana Pantoviq ka reaguar pas publikimit të pjesës së dytë të përgjimeve ku Kusari-Lila dëgjohet duke folur me Sllavko Simiqin e Listës Serbe, teksa ky i fundit dëgjohet edhe duke lexuar mesazhin e Millan Radojiçiqit drejtuar Kusarit.
Reagimi i saj fillon me tone dashamirëse ndaj kryeministrit Kurti por megjithatë jo edhe ndaj Kusarit dhe “rrethit” të tij.
“E kam parë vetëm një herë në jetën time gjatë një dreke pune me kandidatet gra për zgjedhjet lokale të vitit 2021. Znj. Mimoza mori pjesë në takim dhe asnjëherë të vetme nuk donte të fliste serbisht, por tash ajo flet serbisht me ata prej të cilëve ka interes,” – ka thënë ajo për Mimoza-Kusarin duke iu referuar gjuhës me të cilën komunikoi me Sllavko Simiqin.
Më tej, Pantoviq pretendon që “ajo (Mimoza Kusari) nuk është e vetmja në rrethin e Kurtit që bën kësi gjërash,” dhe se ka edhe të tjerë.
“Unë e di që këta njerëz afër tij (Kurtit) bashkëpunojnë edhe me Listën Serbe edhe me PDK-në”, shton Pantoviq në fjalën e saj, megjithëse nuk jep emra.
Ajo ka komentuar edhe të dyshuarin Millan Radojiçiq, me të cilin Kusari e pranon se ka komunikuar, duke shprehur fjalë të mira edhe për të.
“Unë nuk e kuptoj një gjë, pse njerëzit mërziten kur dikush flet me Radojiçiqin?” – pyet ajo.
“Është e vërtetë se njeriu ka para, dhe që ai është biznesmen dhe mund të blejë çfarë të dojë, të mbrojë njerëzit e tij… nuk shoh problem. Unë madje admiroj njerëz të tillë që ndihmojnë njerëzit e tyre”, ka thënë tutje ajo.