Papa bisedon me presidentin e Autoritetit Palestinez për luftën në Gazë

Papa bisedon me presidentin e Autoritetit Palestinez për luftën në Gazë

Papa Leoni ka biseduar përmes telefonit me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, lidhur me luftën në Gazë dhe dhunën në Bregun e pushtuar Perëndimor, tha Vatikani më 21 korrik.

Kjo ishte biseda e parë zyrtare mes dy udhëheqësve që kur Leoni u zgjodh në krye të Kishës Katolike.

“Ati i Shenjtë ka përsëritur thirrjen e tij që ligji humanitar ndërkombëtar të respektohet plotësisht, duke theksuar veçmas obligimin për mbrojtjen e civilëve dhe vendeve të shenjta, ndalimin e forcës disproporcionale dhe transferimin me forcë të popullatës”, tha Vatikani.

Papa po ashtu tha se “ka nevojë urgjente për ofrimin e ndihmës për më të cenueshmit si pasojë e konfliktit dhe lejimin e ndihmës humanitare”.

Kjo bisedë u zhvillua pasi fundjavën e kaluar, Papa bisedoi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, një ditë pas një sulmi ajror izraelit goditi Kishën e vetme Katolike në Gazë, duke vrarë tre persona.

Të dielën, Leoni dënoi “barbarinë” e luftës në Gazë dhe përsëriti thirrjen për zgjidhje paqësore.

Vatikani, që mbështet zgjidhjen me dy shtete, zyrtarisht e ka njohur shtetin e Palestinës përmes një marrëveshjeje të nënshkruar më 2015, duke u bërë një ndër shtetet e para në Evropë që e njohin këtë shtet.

Related Articles