Papa Françesku shkarkoi të martën të gjithë udhëheqjen e krahut të bamirësisë mbarëbotërore të Kishës Katolike Romake pas akuzave për ngacmim dhe poshtërim të punonjësve dhe emëroi një komisioner për ta drejtuar atë.
Ky vendim përfshiu drejtuesit e Caritas Internationalis (CI), një konfederatë me bazë në Vatikan e 162 organizatave katolike të ndihmës, zhvillimit dhe shërbimeve sociale që punojnë në më shumë se 200 vende, shkruan Reuters.
Shkarkimi i nivelit ekzekutiv të CI-s, i cili ka më shumë se një milion staf dhe vullnetarë në mbarë botën, u njoftuan në një dekret papal të lëshuar nga zyra e shtypit e Vatikanit.
Një deklaratë e veçantë nga departamenti i zhvillimit të Vatikanit, i cili mbikëqyr CI-në, tha se një rishikim i mjedisit të vendit të punës këtë vit nga ekspertë të jashtëm të menaxhimit dhe psikologjisë gjeti praktika të këqija menaxhimi në selinë e tij.
Punonjësit aktualë dhe të mëparshëm i thanë Reuters për rastet e abuzimit verbal, favorizimeve dhe keqmenaxhimit të përgjithshëm të burimeve njerëzore që kishin bërë që disa punonjës të largoheshin.
“Nuk u shfaq asnjë provë për keqmenaxhimi financiar ose parregullsi seksuale, por tema të tjera të rëndësishme dhe fusha për vëmendje urgjente dolën nga puna e panelit,” thuhet në deklaratën e zyrës së zhvillimit.
“U vunë re mangësi reale në menaxhim dhe procedura, duke paragjykuar seriozisht shpirtin e ekipit dhe moralin e stafit”.
Tutje thuhet në deklaratë se “çështjet financiare janë trajtuar mirë dhe qëllimet e mbledhjes së fondeve janë arritur rregullisht, normat dhe procedurat e menaxhimit duhet të përmirësohen”.