Papa sqarohet: Të jesh homoseksual nuk është krim, por mëkat

Papa sqarohet: Të jesh homoseksual nuk është krim, por mëkat

“Ata që mendojnë se homoseksualiteti është një krim e kanë gabim”, ka thënë Papa Françesku në një letër të botuar të shtunën, duke kërkuar të sqarojë komentet e tij të mëparshme për homoseksualitetin, të cilin ai ende e konsideron si mëkat.

Në një intervistë të mërkurën, Ati i Shenjtë ka thënë se të qenit homoseksual nuk është krim.

Në një letër drejtuar priftit amerikan James Martin, Papa thekson se qëllimi i këtyre komenteve mbi homoseksualitetin ishte të nënvizonte se kriminalizimi nuk është as i mirë dhe as i drejtë.

Letra e Papa Françeskut, i cili është 86 vjeç, është një përgjigje ndaj letrës së James Martin, i cili kërkoi sqarime pas deklaratave të Papas të mërkurën në një intervistë për agjencinë amerikane të lajmeve Associated Press (AP).

“Doja të them se kushdo që dëshiron të kriminalizojë homoseksualitetin e ka gabim”, shkruan Papa në letrën, e shkruar në spanjisht dhe e publikuar në uebsajtin katolik LGBT Outreach, kryeredaktor i së cilës është James Martin.

Papa ka thënë se në komentet e tij për mëkatin, ai iu referua mësimeve morale të Kishës Katolike.

“Kur them se është mëkat, thjesht i referohem mësimit moral katolik që thotë se çdo akt seksual jashtë martesës është mëkat. Natyrisht, gjithmonë duhet të kemi parasysh rrethanat që mund të zvogëlojnë ose eliminojnë fajin”, ka thënë ai.

Këto komente vijnë pak ditë para udhëtimit të Papës në Afrikë, në DR Kongo dhe Sudanin e Jugut, ku kriminalizimi i homoseksualitetit është i zakonshëm.

Edhe pse Papa Françesku i pranon shpesh homoseksualët dhe thotë se ata duhet të pranohen brenda Kishës me dashamirësi, ai nuk i shmanget mësimit katolik që thotë se martesa është bashkimi i një burri dhe një gruaje, qëllimi i të cilëve është riprodhimi.

Related Articles