Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, së fundmi ka shprehur gatishmërinë që të heqë dorë nga presidenca, në këmbim të paqes ose anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
“Po, jam i lumtur, nëse është për paqen e Ukrainës”, ka thënë Zelensky, të dielën në një konferencë për media në Kiev, raporton BBC, transmeton Gazeta Enigma.
“Nëse është nevoja që unë të largohem nga kjo karrige, unë jam gati ta bëj këtë, dhe gjithashtu mund ta shkëmbej atë me anëtarësimin në NATO për Ukrainën”, është shprehur ai.
Zelensky ka shtuar se ai është i fokusuar në sigurinë e Ukrainës tani, duke shtuar se nuk është “ëndrra” e tij të mbetet president për një dekadë.
Gjithashtu ai është shprehur se është “mirënjohës” për mbështetjen e administratës Biden dhe Trump.
Ai ka kërkuar mirëkuptim dhe garanci sigurie nga presidenti Trump për të ndihmuar Ukrainën. Presidenti ukrainas ka shtuar se e ka ftuar Trumpin në Ukrainë. /Gazeta Enigma