Polakët dhe ukrainasit do të marshojnë për paqe dhe do të kërkojnë fundin e diskriminimit kundër komunitetit LGBT+ të shtunën në Paradën e përbashkët të Krenarisë në Varshavë që organizatorët thonë se synon të mbrojë lirinë dhe barazinë.
Parada e Krenarisë, që mbahet çdo vit, në kryeqytetin ukrainas të Kievit u anulua për shkak të pushtimit të Rusisë.
Kjo bëri që komuniteti LGBT+ në Varshavë të bashkohej me homologët e tyre në Ukrainë për të organizuar këtë ngjarje në kryeqytetin polak, shkruan Reuters.
“Rusia na mohoi të drejtën për të cilën ne luftonim për vite me radhë, Rusia na mohoi Paradën e Krenarisë, marshimin tonë të barazisë që ne e mbajmë çdo vit që nga viti 2012 në Kiev… Kjo është arsyeja pse ne do të marshojmë në Varshavë. Ne do të marshojmë për paqe, për Ukrainën, për fitore”, tha Lenny Emson, drejtor ekzekutiv i KyivPride, i cili ka shkuar në Poloni për Paradën e Krenarisë.
Qëndrimet konservatore ndaj orientimit seksual janë të përhapura në të dyja vendet. Nacionalistët në pushtet në Poloni e kanë bërë betejën me atë që ata e quajnë “ideologji LGBT” një pikë kyçe të fushatave zgjedhore, ndërsa në Ukrainë grupet e ekstremit të djathtë kanë targetuar rregullisht aktivistët dhe ngjarjet e LGBT+ para luftës.
Por me shumë njerëz të komunitetit LGBT+ në Ukrainë që janë regjistruar për të luftuar për vendin e tyre, aktivistët kanë thënë se shpresojnë se lufta mund të ndihmojë në largimin e paragjykimeve.
“Njerëzit që janë gati të vdesin për të mbrojtur këtë vend, mendoj se kanë të drejtë të jenë të barabartë”, tha Temur Levchuk, një aktivist LGBT+ në Kiev.