Paralajmëron Mustafa: Për shkak të kalimit në tregun e lirë do të detyrohem që 1 litër vaj ta shes 1.80 euro

Paralajmëron Mustafa: Për shkak të kalimit në tregun e lirë do të detyrohem që 1 litër vaj ta shes 1.80 euro

Pronari i kompanisë së vajit “Fluidi”, Berat Mustafa, ka thënë se të gjithë duhet ta kuptojnë se bizneset nuk janë kundër kalimit në tregun e lirë të energjisë elektrike, por se kjo të bëhet duke qenë të përfshira më shumë kompani, që sipas tij, të ketë konkurrencë mes tyre që ofrimin e çmimit të rrymës.

Në Rubikon të Klan Kosovës, ai ka pohuar se deri tani me planin që është për liberalizim të tregut energjetik për bizneset, është vetëm një kompani e cila është në shërbim të bizneseve për furnizim me energji.

“Në të gjithë botën e qytetëruar prodhuesit janë të shenjtë, apo trajtohen si të shenjtë të themi me një sy pak më ndryshe. Kurse për fat të keq, po shihemi si njerëz që duan të dëmtojnë apo nuk duam të bashkëpunojmë me institucionet tona qeveritare. Të kuptohet për të gjithë publikun apo për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës se prodhuesit nuk janë kundër daljes në tregun e lirë të energjisë, ka dalë i gjithë regjioni dhe e gjithë Evropa, dhe ne duhet sigurisht të ballafaqohemi”.

“Por, ne jemi kundër ofertës të cilës na ofrohet, e cila është vetëm një ofertë. Nuk e kemi ofertën  e dytë, dalja në treg të lirë së paku ishte dashtë të kishte minimum së paku pesë kompani, të cilat do të ofronin energji në treg, do të ishin në konkurrencë. Ne po dalim në treg të lirë me kërku diçka më lirë dhe jo me dalë diçka më shtrenjtë”.

“Unë si kompani si “Fluidi Group”, e kam vetëm një ofertë e cila më ofron 250 euro për megavat. Shtrohet pyetja, cili nga prodhuesit do të mund të jetë konkurrues me prodhuesit e regjionit? Kjo është e pamundur derisa ata paguajnë 100 euro apo 110 maksimumi të megavatit. Energjia tek prodhuesit është pjesë përbërëse apo element përbërës, nuk është pjesë dytësor apo e treta dorë, që nuk kalkulohet në çmim. Deri tash po supozojmë që ka marrë pjesë në 17 apo 18%, po tash po flasim me na marrë pjesë në 50 për qind në produkt. Si do të konkurrojmë në treg me këtë”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka shtuar se me kalimin e në tregun e lirë, bizneset detyrohen të rrisin çmimet e produkteve, ku tha se do të rrisë çmimin e litrit të vajit.

“Unë si prodhues i vajit më duhet të rrisë vajin deri në 20 apo 30 cent, do të thotë nëse në polisat tona shitet vaji 1 euro e gjysmë, unë detyrohem ta shesë në 1 euro e 80 cent. Ose importi e shet 1 e 50, tash qytetarët kur është një dallim esencial sigurisht se do të marrin produktin më të lirë, neve do të na bjerë prodhimi deri në atë masë ku ne do të detyrohemi të ndalim prodhimin”, ka thënë Mustafa. 

Related Articles