Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar se Shqipëria do të ndahet nga procesi i përbashkët për integrimin në BE me Maqedoninë e Veriut, nëse vijon ngërçi me Bullgarinë.
Në një intervistë për “France 24”, Rama deklaroi se me Maqedoninë e Veriut do të mbetemi miq të mirë dhe do të vijojnë bashkëpunimin në “Open Balkan”, por mund të ndahen për sa i përket perspektivës evropiane, nëse vetoja bullgare do të vijojë bllokadën për anëtarësimin në union. Ai përdori dhe termat“çmenduri bullgare” për të përshkruar veton.
“Nëse kjo çmenduria e Bullgarisë do të vazhdojë ne duhet t’i ndajmë rrugët tona në këtë proces.
Ne do të jemi së bashku në Ballkanin e Hapur ne jemi fqinj dhe ne po përpiqemi të krijojmë lidhje të ngushta me Maqedoninë e Veriut dhe me të gjithë fqinjët e tjerë, sepse Ballkani Perëndimor është hallka më e dobët e Evropës dhe është i dobët karshi agresionit rus dhe konfliktit.
Ne nuk duam asnjë lloj kërcënimi të atillë që do të rrezikonte paqen që po ndërtojmë. Ajo që më duket e neveritshme në qëndrimin e Bullgarisë është mënyra si po e bëjnë këtë, sepse Maqedonia e Veriut nuk është aty të bëhet anëtarë e Bashkimit Evropian, ata mund ta bllokojnë në çdo moment, është aty për të nisur negociatat që do të kërkojnë vite”, tha Rama.