Parandalimi i “ndezjes” me Serbinë, Paçarizi: Deklaratat e Osmanit ishin pozicionim personal

Parandalimi i “ndezjes” me Serbinë, Paçarizi: Deklaratat e Osmanit ishin pozicionim personal

Kohëve të fundit, presidenti amerikan, Donald Trump, në disa raste ka përmendur se si e ka ndalur Serbinë që të nisë një konflikt të mundshëm në Kosovë.

Për këtë çështje ishte deklaruar ditë më parë edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila konfirmoi se Serbia ka dashur të ndërhyjë në Kosovë ushtarakisht.

Ndërkaq sot, në një konferencë për media, ajo u sqarua duke thënë se në muajin maj kishte pranuar informacione se Serbia po përgatitej për një sulm në Kosovë.

Mirëpo, analisti Rrahman Paçarizi, në Rubikon të Klan Kosovës tha se deklaratat e Osmanit janë abstenim për t’u marrë me çështje të brendshme.

“Vjosa Osmani u përpoq që ta kapë momentin që të bashkohet me deklaratat e Trumpit, pavarësisht se i beson apo jo deklaratave të zotit Trump. Sepse, ajo e lansoi atë deklaratë duke komentuar deklarimet e Trumpit se unë sapo e ndala një konflikt të mundshëm në Kosovë. Dhe sot, presidentja Vjosa Osmani, komandantja e përgjithshme e Forcave të Armatosura, thirret në deklaratat e ministrit të Mbrojtjes në detyrë, Maqedonci, të cilat në fakt vetë zoti Kurti i ka shpjeguar. Ka thënë se pozicionimi i shtuar i forcave serbe përreth kufirit të Kosovës duket që është i ndërlidhur me vënien në gatishmëri të forcave të Serbisë për shkak të ushtrimeve të Defender që mbaheshin atë kohë në Kosovë. Situata ka qenë pak a shumë e qartë”.

“E tash, përpjekja e zonjës Osmani për të kapur momentin është paksa e çuditshme dhe ndërlidhet me abstenimin për t’u marrë me çështje të brendshme. Kështu do t’i duhej të pozicionohet. Ende nuk e ka të qartë se ku duhet të pozicionohet, prandaj më e lehtë dhe më popullore është të merret me çështjen e Serbisë për gjoja një sulm të mundshëm të Serbisë, dhe kjo i sjellë më shumë poenë politikë dhe e pozicionon më fuqishëm, e bën mbipartiake, sepse mandati i përfundon edhe pak muaj”, deklaroi Paçarizi.

Ai u shpreh i mendimit se këto deklaratat të Osmanit janë një kalkulim krejtësisht personal. 

Related Articles