Një valë vape po vazhdon që të kaplojë pjesë të mëdha të Evropës. Autoritetet në shumë shtete kanë lëshuar paralajmërime për rrezikun ndaj shëndetit.
Pjesa jugore e Spanjës është rajoni më së rëndi i prekur. Temperatura në mesin e 40-ave janë regjistruar në Sevijë dhe në zonat fqinje, raporton televizioni BBC.
Një rekord i ri për qershorin prej 46 gradësh u regjistrua të shtunën në qytezën El Granado, sipas shërbimit kombëtar të motit në Spanjë, i cili gjithashtu tha se ky muaj është rrugës për t’u bërë qershori më i nxehtë që është regjistruar ndonjëherë.
Paralajmërime të kuqe për vapë janë në fuqi në disa pjesë të Portugalisë, Italisë dhe Kroacisë, ndërsa shumë të tjera me ngjyrë portokalli mbulojnë zona të Spanjës, Francës, Austrisë, Belgjikës, Bosnjës, Hungarisë, Serbisë, Sllovenisë dhe Zvicrës.
Në Barcelonë, një grua vdiq pas përfundimit të ndërrimit si pastruese rrugësh të shtunën, kur temperaturat ishin shumë të larta. Autoritetet lokale janë duke e hetuar vdekjen e saj.
Në Itali, departamentet e urgjencës në mbarë vendin kanë raportuar për shtim të rasteve të sulmit të vapës, kryesisht duke prekur “njerëz të moshuar, pacientë me kancer ose njerëz të pastrehë”, tha Mario Guarino, nënkryetari i Shoqatës Italiane të Mjekësisë Urgjente.
Qyteti Bolonja në veri ka ndërtuar shtatë strehimore me ajër të kondicionuar dhe ujë të pijes, ndërsa Roma ka ofruar hyrje falas në pishinat e qytetit për personat mbi moshën 70-vjeçare.
Vapa e madhe ka prekur edhe shtete të Ballkanit Perëndimor, ku temperaturat kanë shkuar në mbi 40 gradë. Serbia e ka regjistruar temperaturën më të lartë që nga fillimi i mbajtjes së të dhënave në shekullin XIX. Në Slloveni, të shtunën u shënua temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në qershor. Në Maqedoninë e Veriut, të premten u regjistrua temperatura 42 gradë Celsius.
Disa zona do të ballafaqohen me ngritje të temperaturave deri në mesin e javës. Ngritje priten në Francë, Gjermani, Itali dhe Britani të Madhe.