20 mijë euro të ndara për ndërtimin e Shtabit simbolik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Rancë, Komuna e Shtimes i ka përdorur për ndërtimin e tregut të qytetit.
Komuna e Shtimes ishte arsyetuar se bartja e mjeteve është bërë për të mos lejuar që të njëjtat të shkojnë në suficit, përkatësisht të kthehen në buxhetin e Republikës së Kosovës.
Gjatë miratimit të buxhetit të vitit 2022, komuna e udhëhequr nga Qemajl Aliu, vendosi të ndajë 10 mijë euro për rregullimin e kullave që simbolizojnë luftën e UÇK-së në fshatin Rancë. Përveç këtyre mjeteve, për vitin pasues (2023) u parapanë 10 mijë euro të tjera.
Megjithatë, kontrata nuk ishte nënshkruar e mjetet e parapara për ngritjen e shtabit simbolik të UÇK-së në Rancë ishin transferuar në projektin për ndërtimin e tregut të qytetit, duke përdorur fondet për qëllime të tjera e jo për atë që ishin dedikuar.
Nga Komuna e Shtimes kanë thënë se mjetet e buxhetuara për projektin e ngritjes së shtabit simbolik të UÇK-së në Rancë janë bartur te projekti i tregut të gjelbër me arsyetimin që mjetet e njëjta të mos shkojnë në suficit.
“Në vitin 2021 janë ndarë vetëm 10 mijë euro për projektin ‘Ndërtimi i Shtabit të Rancës’ nga qeverisja e kaluar, mjete të pamjaftueshme për fillimin e ndërtimit të këtij objekti. Në vitin 2022 nuk është arritur që të fillojë ndërtimi dhe për të mos shkuar mjetet suficit janë bartur në një kontratë valide – ‘Ndërtimi i Tregut të Gjelbërt’”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Shtimes.
Asamblisti i Kuvendit Komunal të Shtimes nga radhët e PDK-së, Rrahman Jakupi, ka thënë se Kuvendi Komunal nuk ka pasur njohuri për transferimin e parave nga projekti i ngritjes së Shtabit simbolik të Rancës në projektin për ndërtimin e tregut të gjelbër në Shtime.
Madje, ai shprehet se këtë çështje e ka ngritur edhe në diskutime e Kuvendit, por që asnjëherë nuk ka marrë përgjigje konkrete.
“Lidhur me projektin e ndërtimit të Shtabit të UÇK-së në Rancë, dy herë radhazi e kam ngritur këtë çështje në mbledhjet e rregullta të Kuvendit të Komunës, mirëpo nuk kam marrë përgjigje, për të cilën gjë kam kërkuar edhe qasje në dokumente publike”, ka thënë Rrahmani.
Ai tregon se dokumentet i ka siguruar pas ankesës në Agjencinë për Informim dhe Privatësi dhe kur i ka analizuar ka arritur të konstatojë shkelje ligjore.
“Kam arritur t’i marr dhe kam konstatuar që ka shkelje ligjore”, ka theksuar Jakupi.
Në seancën e Kuvendit Komunal të Shtimes të mbajtur më 31.05.2023 (min 51:10), duke iu referuar mjeteve të ndara për projektin e ndërtimit të Shtabit simbolik të UÇK-së në Rancë në vitin 2022, Jakupi e kishte pyetur të parin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, se “ku janë mjetet financiare?”.
“Jam i lumtur që më në fund po fillon sepse kjo ka qenë kërkesa unanime e të gjitha shoqatave të dala nga lufta si një nga objektet më të rëndësishme të luftës çlirimtare në zonën e Nerodimes. Edhe rruga që të dërgon atje, deri më 20 qershor [2023] e ka kohën që do të përfundojë. Ky është një lajm i mirë për neve por edhe për të gjithë qytetarët e komunës së Shtimes, sidomos për shoqatat e dala nga lufta. Unë nuk kam informacione për këtë pyetjen e juaj. Unë do të interesohem edhe do të iu njoftoj, diçka që nuk di, nuk mundem me thanë”, ishte përgjigjur kryetari Aliu në pyetjen e Jakupit në seancën e Kuvendit Komunal të mbajtur më 31.05.2023 (min 1:21:00).
Sipas tij, kryetari Aliu ka bërë shkelje ligjore dhe se i njëjti duhet të hetohet nga organet e shtetit.
“Kryetari i komunës, Qemajl Aliu, ka bërë shkelje të ligjit në lidhje me projektin e Ndërtimit të Shtabit simbolik të UÇK-së në fshatin Rancë të Shtimes. Për më tepër, ai nuk i ka respektuar procedurat me këtë bartje, ashtu siç kërkon ligji Andaj, këto veprime të kryera pa respektuar procedurat ligjore dhe pa transparencë duhet të hetohen nga organet e shtetit për të siguruar zbatimin e ligjit dhe llogaridhënien në administratën publike.” ka thënë Jakupi.