Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë për Serbinë, në të cilën theksohet polarizimi dhe represioni në rritje në vend, një vit pas shembjes së strehës në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.
Për rezolutën votuan 457 eurodeputetë, ndërsa kundër ishin 103.
Serbia gjithashtu ftohet të harmonizohet me politikat e BE-së në luftën kundër ndërhyrjeve të huaja dhe fushatave të dezinformimit.
Teksti nënvizon se, edhe një vit pas tragjedisë në Novi Sad, hetimet nuk janë përfunduar dhe bën thirrje për “zbatim të plotë dhe transparent të procedurave ligjore pas hetimeve të organeve kompetente, në mënyrë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë, në përputhje me sundimin e ligjit”.
Në dokument theksohet gjithashtu se ndikimi i Kinës në Serbi është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit përmes investimeve të mëdha infrastrukturore, duke ngritur shqetësime për transparencën, përputhshmërinë me standardet e BE-së dhe respektimin e rregullave mjedisore.
Rezoluta kujton se shembja e strehës shkaktoi protesta të paprecedenta në mbarë vendin, të udhëhequra nga studentët, të cilët kërkonin drejtësi, përgjegjësi institucionale, transparencë, zgjedhje të parakohshme dhe të ndershme, respektim të lirive qytetare, ndarje të pushteteve, liri të medias, fund të korrupsionit sistematik, si dhe më shumë investime në arsim.
Rezoluta shton se autoritetet serbe kanë përdorur dhunë ndaj kundërshtarëve politikë dhe forcë të tepruar kundër protestuesve në të gjithë vendin, duke vlerësuar se represioni është përshkallëzuar që nga fillimi i vitit.
Sipas burimeve të pavarura, protestuesit më 15 mars u sulmuan me armë akustike, gjë që ka ngritur shqetësime serioze për proporcionalitetin dhe ligjshmërinë e përdorimit të forcës.
Në dokument thuhet se që nga gushti dhuna është intensifikuar edhe më tej, dhe se agjencitë e sigurisë kanë regjistruar në mënyrë të paligjshme dhe transmetuar biseda private, të cilat janë përdorur për të akuzuar studentët dhe aktivistët për vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Serbisë. Po ashtu, përmendet se njësia elitare ushtarake “Kobre” është dislokuar në terren dhe në një rast ka përdorur municion të vërtetë.