Parlamenti Evropian ka miratuar një nga paketat më të mëdha financiare për Ukrainën, në një kohë kur mbështetja për sektorin e mbrojtjes dhe stabilitetin buxhetor të këtij shteti mbetet thelbësore për përballimin e pasojave të luftës.
Anëtarët e Parlamentit Evropian miratuan propozimin e Komisionit Evropian për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 90 miliardë eurosh për periudhën 2026-27. Vendimi u votua me 458 vota pro, ndërsa 140 ligjvënës votuan kundër dhe 44 abstenuan.
Sipas detajeve të planit, kredia përbëhet nga 60 miliardë euro ndihmë ushtarake dhe 30 miliardë euro mbështetje buxhetore, të financuara përmes huamarrjes së Bashkimit Evropian.
Votimi ishte planifikuar fillimisht për një seancë të posaçme plenare të thirrur më 24 shkurt, në shënim të përvjetorit të katërt të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, por seanca u shty dhe vendimi u mor më 11 shkurt.
Procesi për këtë kredi kishte nisur më herët. Më 19 dhjetor, samiti i Bashkimit Evropian miratoi një vendim për një kredi të përbashkët prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, që synon të mbulojë dy të tretat e nevojave të këtij shteti në periudhën 2026-27, si në sektorin buxhetor ashtu edhe në atë të mbrojtjes.
Ndërkohë, më 4 shkurt, ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper) ranë dakord për mekanizmat e zbatimit të kësaj kredie, duke përfshirë edhe mundësinë që në financim të marrin pjesë vende të treta.
