Parlamenti Evropian miraton raportin për Shqipërinë, Santos: Koha për të avancuar në negociata
Raporti për procesin e aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian u miratua me shumicë dërmuese në Parlamentin Evropian, njoftoi raportuesja për Shqipërinë në PE, Isabel Santos.
Duke sjellë tabelën e votimit, ku kanë votuar pro 519 deputetë nga 599 deputetë, Santos theksoi se është koha për të kaluar në negociata të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
“Raporti im për procesin e aderimit të Shqipërisë në BE sapo u miratua nga seanca plenare e Parlamentit Evropian me shumicë dërmuese. Evropa nuk mund të zhgënjejë popullin shqiptar dhe një vend që është përpjekur të zbatojë të gjitha hapat e nevojshëm për pranimin. Koha për të kaluar në negociata formale”, shkroi Santos.
Raportuesja e PE-së për Shqipërinë, Isabel Maria Santos gjatë seancës plenare të PE-së prezantoi gjetjet në lidhje me ecurinë e vendit në lidhje me procesin e integrimit dhe apeloi për mbajtjen e menjëhershme të Konferencës së Parë Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE-së brenda Presidencës Franceze të Këshillit Evropian.
Edhe përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Didier Reynders , theksoi vendosmërinë në plotësimin e kushteve nga ana e Shqipërisë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, dhe kërkoi mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë sa më parë.