Parlamenti Evropian miraton rezolutë e Piculës për Serbinë

Parlamenti Evropian miraton rezolutë e Piculës për Serbinë

Parlamenti Evropian (PE) ka miratuar sot një rezolutë në të cilën vlerësohet se Serbia, ndonëse ka bërë njëfarë përparimi, ende përballet me pengesa të mëdha në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian (BE).

Ndër çështjet kyçe që theksohen janë përmirësimi i dialogut të brendshëm politik, reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si dhe harmonizimi i plotë me politikën e jashtme të BE-së.

Rezoluta e përgatitur nga raportuesi i PE-së për Serbinë, Tonino Picula, është miratuar me 419 vota pro, 113 kundër dhe 88 abstenime, gjatë seancës së mbajtur në Strasburg.

Ky dokument përfaqëson reagimin e Parlamentit Evropian ndaj Raporteve të Komisionit Evropian për Serbinë për vitet 2023 dhe 2024, duke përfshirë edhe zhvillimet më të fundit në vend, përfshirë protestat studentore, të cilat, siç thuhet në tekst, pasqyrojnë shqetësime të mëdha për gjendjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Në rezolutë theksohet gjithashtu nevoja për garantimin e pavarësisë së institucioneve kyçe, përfshirë Autoritetin Rregullator për Mediat Elektronike (REM), si dhe zbatimin e plotë të rekomandimeve të Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) dhe të trupave të Këshillit të Evropës në lidhje me reformat zgjedhore. Këto reforma duhet të realizohen në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, shumë përpara mbajtjes së çdo procesi të ri zgjedhor.

Rezoluta shpreh shqetësim të thellë për problemet sistematike që janë ngritur nga protestat studentore dhe të tjera në Serbi, përfshirë çështje të lirive qytetare, ndarjes së pushteteve, korrupsionit, mbrojtjes së mjedisit, transparencës institucionale dhe financiare — veçanërisht në projektet infrastrukturore — dhe llogaridhënies.

Parlamenti Evropian thekson se kërkesat e studentëve janë në përputhje me reformat që kërkohen nga Serbia në kuadër të procesit të saj të integrimit evropian.

Gjithashtu, vërehet se protestat masive të mbajtura më 15 mars në Beograd përfaqësojnë protestat më të mëdha në historinë bashkëkohore të Serbisë. PE bën thirrje për një hetim të paanshëm lidhur me dyshimet se ndaj protestuesve është përdorur teknologji e paligjshme për kontrollin e turmës, gjë që ka rezultuar në plagosjen e disa personave.

Related Articles