Parlamenti turk ka nisur debatin e tij të shumëpritur mbi anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke e sjellë vendin nordik dukshëm më afër anëtarësimit në aleancën ushtarake perëndimore pas muajsh në harresë.
Tre muaj pasi Rexhep Tajip Erdogan paraqiti një projektligj për miratimin e anëtarësimit në parlament, deputetët pritej të votonin në favor të ratifikimit të tij të martën mbrëma.
Siç raporton The Guardian, nëse votimi shkon në favor të Suedisë siç pritej, presidenti turk pritet të nënshkruajë projektligjin në ditët në vijim.
Miratimi i Turqisë do ta linte Hungarinë si të vetmin vend që ende s’e ka ratifikuar anëtarësimin suedez.
Më herët të martën, kryeministri hungarez, Viktor Orbán, la të kuptohet për progres duke ftuar kryeministrin e Suedisë, Ulf Kristersson, të vizitojë për negociata mbi këtë çështje.
Në një letër, ai shkroi:
“Unë besoj se një dialog më intensiv mund të kontribuojë në forcimin e besimit midis vendeve dhe institucioneve tona, duke lejuar kështu forcimin e mëtejshëm të marrëveshjeve tona politike dhe të sigurisë”.
Një zëdhënës i Kristersson tha se ata nuk kanë asnjë koment për ftesën për momentin, por ministri i jashtëm i Suedisë, Tobias Billström, tha se përpara se të përgjigjej, qeveria do të duhet “të mendojë se çfarë sinjalizon letra”.
Suedia aplikoi për t’u bashkuar me NATO-n në maj 2022, në të njëjtën kohë me Finlandën, në një ndryshim historik në politikën e saj të sigurisë, i shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në shkurt në fillim të atij viti.