Partitë opozitare izraelite arrijnë marrëveshje, fund qeverisjes 12-vjeçare të Netanyahut

Partitë opozitare izraelite arrijnë marrëveshje, fund qeverisjes 12-vjeçare të Netanyahut

Partitë e opozitës izraelite kanë arritur një marrëveshje për të formuar një qeveri të re që do t’i jepte fund mandatit 12-vjeçar të Benjamin Netanyahu si kryeministër.

Yair Lapid, udhëheqësi i partisë qendrore Yesh Atid, njoftoi se marrëveshja e koalicionit të unitetit kishte sukses.

Blloku opozitar i kryesuar nga Naftali Bennet, Yair Lapid dhe Kreu i partisë arabe, Ra’am, Mansour Abbas, nënshkruajnë dokumentin që i hap rrugë qeverisë së re në Izrael. Nën një marrëveshje rotacioni, kreu i partisë së krahut të djathtë Yamina, Naftali Bennett, do të shërbente si kryeministër i pari përpara se t’i dorëzohej Lapidit, raporton bbc.

Në një deklaratë, Lapid tha se e kishte informuar presidentin, Reuven Rivlin për marrëveshjen, duke shtuar se “Unë premtoj se kjo qeveri do të punojë në shërbim të të gjithë qytetarëve izraelitë, atyre që e votuan atë dhe atyre që nuk e bënë atë”.

“Ajo do të respektojë kundërshtarët e saj dhe do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj për të bashkuar dhe lidhur të gjitha pjesët e shoqërisë izraelite”, shtoi ai. Rivlin i ka bërë thirrje parlamentit që të mblidhet sa më shpejt të jetë e mundur për të votuar qeverinë e re.

Nëse koalicioni nuk arrin të fitojë mbështetjen e një shumice në Knesset me 120 vende, ekziston rreziku që vendi të shkojë në zgjedhje për herë të pestë në dy vjet. Partia e krahut të djathtë të Netanyahut, Likud, fitoi më shumë vende në zgjedhjet e marsit, por ai nuk ishte në gjendje të formonte një koalicion qeverisës pasi iu dha mandati.

Related Articles