E në Serbi partitë opozitare kanë vazhduar akuzat ndaj pushtetit të Vuçiqit, duke paralajmëruar për një klimë frike dhe dhune politike. Sipas tyre, edhe procesi i integrimit evropian të Serbisë është i bllokuar për shkak të përkeqësimit të gjendjes demokratike dhe orientimit gjithnjë e më të theksuar të Beogradit drejt Rusisë.
Në një klimë të tensionuar politike dhe shoqërore në Serbi, partitë opozitare kanë intensifikuar akuzat ndaj pushtetit të presidentit Aleksandar Vuçiq. Opozita pretendon se vendi po përballet me arbitraritet shtetëror, presione politike dhe dobësim të institucioneve, duke paralajmëruar për një klimë frike dhe dhune politike. Sipas tyre, pushteti mban përgjegjësi për korrupsion, keqpërdorim të institucioneve dhe cenim të sundimit të ligjit.
Në këtë kontekst, nënkryetarja e Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë, Marinika Tepiq, ka vazhduar fushatën e saj të quajtur ’Rruga për burg, drejtësi për Serbinë’, shkruan RTK.
”Këto akuza, qe parashikon 200 vite burg janë ndaj ish-ministres Zorana Mihajloviq, e cila është pjesë e një strukture kriminale të lidhur me Aleksandar Vuçiqin dhe vëllain e tij, Andrej Vuçiq. Ajo ka nënshkruar kontrata të diskutueshme që e kanë dëmtuar Serbinë për miliarda euro, kanë minuar sundimin e ligjit dhe kanë krijuar rrjete kompanish të privilegjuara për korrupsion dhe pastrim parash”, tha Tepiq.
Opozita parlamentare është e fokusuar në përgjegjësinë politike dhe penale të pushtetit të presidentit Aleksandar Vuçiq, duke u bërë thirrje institucioneve shtetërore të nisin hetime për këto pretendime. Përfaqësuesit e pushtetit i kanë hedhur poshtë këto akuza.
”Këto janë akuza të rreme dhe konstrukte politike ndaj presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe vëllait të tij. Opozita vazhdimisht përsërit gënjeshtra”, tha Natasha Jovanoviq, deputete, Partia Përparimtare Serbe.
Akuzat e opozitës lidhen me kërkesat që prej më shumë se një viti janë në qendër të protestave antiqeveritare, të nisura pas shembjes së një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona. Opozita paralajmëron gjithashtu për rrezik kolapsi në sektorin energjetik, veçanërisht për shkak të krizës rreth kompanisë NIS, e cila është nën sanksione amerikane për shkak të pronësisë ruse. Sipas saj, edhe procesi i integrimit evropian të Serbisë është i bllokuar për shkak të përkeqësimit të gjendjes demokratike dhe orientimit gjithnjë e më të theksuar të Beogradit drejt Rusisë.
