“Air Abania” priti mbrëmjen e kësaj të hënë kryesfidën e javës së 24-ët të Abissnet Superiore, derbin Partizani-Tirana.
“Të kuqtë” e kryeqytetit triumfuan bindshëm me rezultatin 2-0, në takimin që në pjesën më të madhe “foli” për ta.
Tifozët si gjithmonë ishin prezent, ku përveç performancave respektive, ishin “protagonist” edhe në ndërprerjet e një pas njëshme duke filluar në minutën e katërt, me mbështetësit e të dyja kampeve që sulmuan portierët Rexhepi dhe Bekaj, të cilët morën ndihmën mjekësore, ndërsa u deshën rreth tre minuta që takimi të rifillonte.
Nga të dyja anët u kërkua porta dhe rastet ishin të një pas njëshme, megjithatë në minutën e 20’ pas një harkimi të Hadroj, Mba, i harruar nga mbrojtja “bardheblu” e dërgon topin në rrjetë dhe u dhuron avantazhin “Demave”.
Në minutën e 41’ një ndërhyrje e Hadroj ndaj Patric bëri që arbitri Xhaja të sinjalizonte për penallti për Tiranën, megjithatë pas verifikimit të rastit në VAR, penalltia për “bardheblutë” u anulua.
Skuadra e Orges Shehit do të gjente rrugën drejt rrjetës në minutën e 49’, kur Hasani ia del të shënojë, por një sinjalizim për pozicion jashtë loje bëri që Juxhin Xhaja të shkojë sërish drejt dhomës së VAR për ta konfirmuar dhe në fund goli i Tiranës u anulua.
Flakadanët e tifozëve bënë që tymi të pushtonte fushën në “Air Albania” dhe sfida u ndërpre për më shumë se 10 minuta.
Për të rinisur me dominimin e Partizanit që në minutën e 63’ fitoi penallti, por Bekaj priti goditjen nga pika e bardhë që u ekzekutua nga Telushi.
“Të kuqtë” e kryeqytetit ia dominuan edhe për pjesën e mbetur të takimit, me Carën që në minutën e 80’, vetëm një minutë pasi hyri në fushën e lojës, u dhuroi golin e dytë dhe të sigurisë vendasve.
Një 2-0 dhe Partizani vijon të ketë ecuri pozitive në derbin ndaj Tiranë, me skuadrën e Colella-s që ngjitet në krye të Kategorisë Superiore me 40 pikë, ndërsa ekipi i trajnerit Shehi bien në vend të dytë me pikë të barabarta me kryesuesit.