“Nuk ka pozitë e opozitë për progresin e Kosovës dhe ndihmën e ShBA-ve”, shkroi sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, menjëherë pasi deputetët prezentë të të gjitha partive politike ratifikuan marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe MCC-së së ShBA-ve.
Kjo është një deklaratë, që nëse do ta thoshte një politikan tjetër, do të ishte normale dhe as që do të vërehej. Natyrisht, as nuk do të diskutohej. Por, këtë po e thotë Albin Kurti, opozitari i dikurshëm dhe i dhunshëm, i cili nxiste e përdorte aktivistët e partisë së tij që të pengonin zhvillimin normal të jetës institucionale, madje ia bllokonin edhe hyrjen e ambasadores amerikane në Kuvendin e Kosovës.
Gjatë 15 viteve të aktivitetit të tij opozitar, Albin Kurti ka organizuar aktivitete të panumërta dhe të dhunshme, si brenda ashtu edhe jashtë institucioneve.
Albin Kurti ka ndjekur hap pas hapi mësimin se “qëllimi arsyeton mjetin”. Pra, ai ka përdorur të gjitha mjetet e mundshme që të arrijë qëllimin e tij – pushtetin. ‘Dhuna’, ‘gënjeshtra’ dhe ‘mashtrimi’ janë fjalët kyçe e përcaktuese të opozitarizmit të tij.
Gjatë këtij opozitarizmi të dhunshëm e radikal, Albin Kurti dhe Vetëvendosje, nuk kanë ndihmuar asnjëherë Qeveritë e Kosovës, të cilat në jo pak raste kërkonin edhe mbështetjen e tyre.
Para se të ndihmonte qeveritë e ndryshme në arritjen e konsensusit në çështje me interes nacional, Albin Kurti ka zgjedhur dhunën si mjet të tij të veprimit. Ai, dhunës ia ka bashkuar edhe bllokimin e shtetit të Kosovës.
Të panumërta janë videot që dëshmojnë dhunën dhe bllokadën e Kurtit. Prandaj, thirrjet e tij që opozita të bëhet bashkë kur është në pyetje interesi nacional është një thirrje hipokrite dhe që askush nuk i beson. Opozita duhet që vetëm të sillet në natyrshmërinë e saj, që pavarësisht se kush është në pushtet t’i mbështesë proceset me interes nacional.