Përkundër ankesave të aplikantëve, përmes një reagimi zyrtare, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, njofton se komisioni për verifikimin e testit pranues në Fakultetin e Mjekësisë ka konstatuar se testimi ishte kredibil.
Nga UP shkruajnë se komisioni konstatoi se ndonjë lëshim teknik që mund të ketë ndodhur në testin e Kimisë nuk e ka cenuar kredibilitetin e procesit të testimit të kandidatëve për pranim në Fakultetin e Mjekësisë.
Ndërkaq, tutje njoftohet se komisioni njëzëri konstatoi se: “Për të gjithë nxënësit me përgatitje mesatare lëshimet teknike në test [të kimisë] konsiderohen që nuk kanë ndikim në zgjidhjen e detyrave dhe si rezultat në përzgjedhjen e alternativës së saktë”:
“Komisioni për verifikimin e përmbajtjes së pyetjeve të provimit pranues të Fakultetit të Mjekësisë, i themeluar nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, pas pretendimeve të disa kandidatëve se ka pasur lëshime në këtë test, ka hartuar raportin e detajuar për këtë çështje bashkë me rekomandimin përfundimtar”.
“Komisioni i përbërë nga profesorët Bashkim Thaçi e Arlinda Bytyqi-Damoni, ekspertë për lëndën e Kimisë dhe profesori Bekim Gashi, ekspert për lëndën e Biologjisë, konstatuan njëzëri se ndonjë lëshim teknik që mund të ketë ndodhur në testin e Kimisë në asnjë mënyrë nuk e cenon kredibilitetin e procesit të testimit të kandidatëve për pranim në Fakultetin e Mjekësisë”.
Të hënën, para fakultetit të Mjekësisë aplikantët e Fakultetit të Mjekësisë u mblodhën para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në shenjë proteste, me parullat: “Mos na largoni nga Kosova!”, “Merrni përgjegjësi për gabimet në test!”,“Hetim!”, “Përgjegjësi!”.
Derisa, dje, në një përgjigje për Klankosova.tv, Inspektorati i Arsimit ka njoftuar se janë duke trajtuar të gjitha ankesat e parashtruara në lidhje me provimin pranues nga kandidatët që nuk u pranuan në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”