Tre prokurorë nga prokuroritë themelore janë transferuar përkohësisht në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, pas ofrimit të dorëheqjes së prokurorëve të nacionalitetit serb.
Vendimi është marrë nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, “me qëllim të mbështetjes, funksionimit normal dhe efikas të punës në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë”.
“Prokurorët e transferuar do të punojnë në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, i cili është prekur më tepër nga ofrimi i dorëheqjes së prokurorëve të nacionalitetit serb”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Komunikim me Publikun në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Tutje, bëhet e ditur se varësisht nga rrethanat, U.D. Kryeprokurori i Shtetit do të veprojë menjëherë në përputhje më ligjin, situatën dhe nevojat e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Ndryshe, më 5 nëntor, zyrtarët e Listës Serbe njoftuan se serbët në veri do të largohen nga institucionet, përfshirë ato të drejtësisë, të rendit, por edhe nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës.
Punonjësit e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë – prokurorët dhe stafi mbështetës – dorëzuan dorëheqjet e tyre më 7 nëntor.
Dorëheqjet erdhën pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.