Pas intervistimit nga policia, reagon zyrtari i Ministrisë së Bujqësisë

Pas intervistimit nga policia, reagon zyrtari i Ministrisë së Bujqësisë

Krimet Ekonomike kanë bastisur këtë të enjte Ministrinë e Bujqësisë, ku është shoqëruar në polici Bedri Dobra, zyrtar në Departamentin për Politika Bujqësore dhe Tregje.

Pas intervistimit nga ana e autoriteteve, Dobra ka reaguar në rrjetet sociale, duke e cilësuar ngjarjen si “një padrejtësi të madhe”.

Ai ka shprehur dyshime mbi vërtetësinë e kronikës së publikuar në një televizion, e cila fliste për keqpërdorimin e mbi 60 mijë eurove, duke e kundërshtuar këtë akuzë.

“Nuk e di nëse ka qenë e qëllimshme apo jo, por ajo që di me siguri është se storja që është transmetuar në televizion është e pavërtetë. Falënderoj institucionet, të cilat gjatë marrjes së intervistës kanë qenë shumë korrekte me mua dhe kanë vepruar në përputhje me ligjin. Megjithatë, ky sulm ndaj meje dhe familjes sime nuk mund të kalojë pa përgjigje. Do të ndjekim rrugët ligjore për të adresuar këtë situatë, si për shqetësimin në familje, ashtu edhe për dëmtimin e imazhit tim personal, për të cilin kam punuar me vite të tëra”, ka shkruar Dobra.

Ai pati një kërkesë për mediat që “të kërkojnë falje” dhe, siç thotë ai, “të paraqesin të vërtetën ashtu siç është”.

Dobra tha po ashtu se Ministria “tashmë e ka demantuar lajmin e pavërtetë me fakte” në faqen e saj zyrtare./GazetaEnigma/

Related Articles