Pas kërcënimit për bomba evakuohet ministria e Jashtme në Shkup

Pas kërcënimit për bomba evakuohet ministria e Jashtme në Shkup

Punonjësit e ministrisë së Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut janë evakuuar të enjten, pas një kërcënimi për vendosje të bombave që është dërguar në adresën elektronike të këtij institucioni.

“Pas kontrolleve të ekipeve të specializuara anti-terroriste të forcave policore është konstatuar se bëhet fjalë për alarm të rremë”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Ky është alarmi i parë për vendosjen e bombave në një institucion shtetëror, që nga paraqitja e këtij fenomeni më 26 nëntor.

Që atëherë dhjetëra shkolla të mesme në Shkup dhe qendra tregtare kanë marrë kërcënime për bomba, por të gjitha kanë rezultuar të rreme.

Kërcënime për vendosje të bombave të hënën janë dërguar edhe në Qendrën e Transportit Publik, në qendrat tregtare “East Gate” dhe “Biser”, si dhe ndërtesën “Flat Iron”.

Drejtuesit e institucioneve ende nuk kanë arritur të zbulojnë burimin e dërgimin të kërcënimeve përmes postave elektronike.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se me gjasë bëhet fjalë për “luftë kibernetike” që sipas tij ka për qëllim frikësimin e qytetarëve dhe destabilizimin e vendit.

Ai tha se institucionet janë të kontakt me bashkësinë ndërkombëtare për ndihmë në përballjen me këtë dukuri.

Më 5 dhjetor, ministria e Jashtme në Shkup ka ngritur padi penale për veprën “terrorizëm” ndaj personi të mitur, pasi ai kishte pranuar në Polici se në muajin tetor ka kërcënuar me bomba katër shkolla të mesme.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka deklaruar se me këtë padi penale nuk është zbardhur rasti me alarmet me bomba, pasi sipas tij, kërcënimet kanë ardhur edhe nga jashtë vendit, gjë që sipas tij dëshmon se bëhet fjalë për sulme kibernetike që vështirë do të mund të zbulohen.

Related Articles