Pas tërheqjes së liderit të ekstremit të djathtë Geert Wilders nga koalicioni qeveritar, ka dhënë dorëheqje edhe kryeministri i Holandës, Dick Schoof.
Sipas The Guardian, Schoof e ka cilësuar vendimin e Geert Wilders për t’u tërhequr nga koalicioni si “të papërgjegjshëm dhe të panevojshëm”.
Ai poashtu ka konfirmuar se qeveria e tij do të vazhdojë funksionin si administratë kujdestare (teknike) deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, për të cilat ende nuk është caktuar një datë.
Kujtojmë se, mëngjesin e së martës, Geert Wilders, lider i ekstremit të djathtë në Holandë, shpalli tërheqjen e partisë së tij PVV nga koalicioni qeverisës, duke rrëzuar kështu qeverinë e djathtë dhe duke hapur rrugën për zgjedhjet e parakohshme.
“S’ka nënshkrim mbi planet tona për azilin. PVV largohet nga koalicioni,” ka shkruar Ëilders në një postim në platformën X. Ai tutje ka thënë se partnerët e koalicionit nuk pranonin të mbështesnin kërkesat e tij për ndalimin e menjëhershëm të migracionit azilkërkues, duke çuar në vendimin e tij për t’u larguar.
Qeveria holandeze ishte ndërtuar mbi një koalicion të brishtë mes partisë anti-islamike të Wilders, Partia për Liri (PVV) – partia më e madhe në parlament – si dhe Lëvizja Popullore e Fermerëve (BBB), kontrata e re sociale (NSC) dhe liberalët e VVD-së.
Koalicioni, që ishte krijuar në korrik 2024 dhe që në fillim kishte vështirësi për të ndërtuar konsensus, tashmë është në kolaps, duke paralajmëruar zgjedhje të reja brenda disa muajsh. E sipas Reuters, kjo situatë rrit pasigurinë politike në Holandë dhe mund të vonojë marrjen e vendimeve kyçe si rritja e shpenzimeve për mbrojtjen, për të përmbushur objektivat e reja të NATO-s.