Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka publikuar videon e vizitës së saj bashkë me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla në vilën e kryeterroristit Milan Radojçiq, pas sekuestrimit të saj.
“Dje publikuam dokumentin e listës se aseteve të konfiskuara dhe sekuestruara të terroristit Radojçiq, sot nga afër dhe konkretisht pamë luksin në të cilin ka jetuar ky kriminel. Kjo është jeta e një terroristi që për vete bën jetë prej milioneri ndërkohë që mjet të funksionimit ka frikësimin dhe kërcënimin e komunitetit ku jeton në mënyrë që t’i shërbejnë atij”, ka shkruar ministrja Haxhiu.
“Kjo gjë ka ndërruar, qytetarët atje kanë filluar të çlirohen nga ky terrorist dhe grupi i tij që kanë punuar vetëm për veten në shërbim të regjimit në Beograd. Republika e Kosovës nuk trembet nga terrorizimi dhe është garantuese e jetës së qetë për të gjithë qytetarët pa dallim. Jemi shoqëri demokratike dhe me vlera të qarta perëndimore ku terrori, frikësimi, shantazhi dhe ilegaliteti nuk kanë vend”, ka shtuar ajo.